Mbledhje komemorative me rastin e vdekjes sė Rexhep Zogajt

 

 Malishevë/Prishtinë 9 Qershor

 

Sot në sallën e Biobliotekës Kombëtare në Prishtinë, është mbajtur një mbledhje komemorative, pas vdekjes së shkrimtarit dhe publicistit Rexhep Zogaj, i cili vdiq në moshën 75 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Rexhep Zogaj, ishte edhe kryeredaktor dhe drejtor i “Rilindjes”, ndërsa pas demonstratave të vitit 1981, ai ishte larguar nga puna, për shkak të përkrahjes së studentëve në demonstrata.

“Dje u nda nga jeta  njëri nga intelektualët më të mëdhenj që ka dhënë Malisheva, Rexhep Zogaj, i cili u lind dhe u rrit në Turjakë të Malishevës. Baca Rexhë, shquhej edhe me punën e tij publicistike dhe prozës, duke lënë një koleksion të madh të veprave të të gjitha periudhave kur ai jetoi. Lufta e fundit, e UÇK-së, Rexhen bashkë me familjen e tij, do ta gjenin  në mbështetje të fuqishme saj. Familja, miqtë, shokët, të gjithë ne jemi krenar që patëm  bacën Rexhë. Jeta e tij ishte një jetë atdhetari, intelektuali iluministi, poeti udhëheqësi dhe prind i dashur për të gjithë”, ka thënë mes tjerash në fjalën e tij, kryetari i komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj.

 

“Lajmi për vdekjen e këtij veprimtari politik, ishte lajmi që ka prekur të gjithë. Një jetë të tërë në shërbim të njerëzve, shembull për të gjithë, sidomos për të rinjtë e rajonit të Llapushës. Ishte shembull i ruajtjes së dinjitetit. Rexhep Zogaj, ka lënë një vepër të madhe...” , me stjearsh ka thënë ministri i MTPT-së, z.Fatmir Limaj, duke çmuar lartë figurën, jetën dhe veprën e Rexhep Zogajt.

Për jetën e Rexhep Zogajt, ka folur bashkëpunëtori i tij, Ismail Berisha, ndërsa për jetën dhe veprimtarinë letrare, ka folur Abdullah Konushevci.

Varrimi i të ndjerit është bërë sot, në ora 13, në varrezat e qytetit në Prishtinë. 



Data: 09.06.2010


    Pamje e lapidarit nga Malisheva