|
|
Nė shėnimin e Flakės sė Janarit, pėrkujtohen dėshmorėt e Malishevės, tė vitit 1990
Malishevë, 29 janar Në kuadër të shënimit të manifestimit “Flaka e Janarit”, me një akademie përkujtimore, sot janë përkujtuar dëshmorët e kombit Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku, të vrarë më 30 janar 1990, e njohur si “Masakra e Malishevës”, ndërsa është ndarë edhe çmimi “Dr.Tafil Kelmendi”, pas vdekjes për Abdyl Krasniqin, i cili vdiq një muaj më parë. Në këtë akademi, për ngjarjen e vitit 1990, ngjarje e cila ka shënuar edhe kundërshtimin e parë institucional ndaj sistemit të atëhershëm shtetëror, kundër dhunës dhe represionit të pushtetit, mbi popullatën shqiptare. Në vazhdim fjalimi i Kryetarit të Komunës, z.Isni Kilaj: Malisheve, 29.01.2010 Kryetari Isni Kilaj Fjalë rasti në 20 vjetorin e rënies së dëshmorëve Ali Kryeziu dhe Hisni Mazrreku E nderuara familje e Hisni Mazrrekut,e nderuara familje e Ali Kryeziut, të nderuar pjesëmarrës të ngjarjes së dhimbshme por krenare të 30 Janarit 1990 , dhe Ju pjesëmarrës në këtë Akademi përkujtimore, jam i nderuar që me një fjalë rasti të përkujtojmë sot 20 vjetorin e rënies së dy dëshmoreve, Ali Din Kryeziun dhe Hisni Avdullah Mazrreku, si dhe të plagosurit e asaj ngjarjeje e cila shënoi edhe zyrtarisht rrënimin e ngrehinës së quajtur Jugosllavi dhe fillimin e realizimit te ëndrrës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi/Republikën e Kosovës. Lëvizjet e shqiptarëve përkrah popujve tjerë evropian që luftonin për demokraci, vitet 1988,89,90 do të sillnin domosdo zemërimin e pushtuesit dhe zgjodhi Malishevën liridashëse për të kërcënuar dhe shtypur energjinë liridashëse të popullit shqiptarë. Me 30 Janar 1990 soldateske serbe vrau dy demonstrues shqiptar në qendër të Malishevës Hisni Mazrrekun dhe Ali Kryeziun dhe plagosi dhjetëra ë tjerë. Kjo ngjarje befasoi edhe dashamirësit e Jugosllavisë titiste, por jo pjesën patriotike të popullit e cila nga këtu mori guxim edhe më të fuqishëm për një organizim edhe më të madh dhe vendosmëri të fuqishme për të organizuar luftën për liri deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës në vitin 1999. Dhe pikërisht kjo urrejtje e popullit u tregua që në ceremonitë mortore që u bënë për dy dëshmoret me pjesëmarrje prej qindra e mijëra qytetarëve nga mbarë Kosova. Kjo mobilizoi masat. Edhe përfaqësuesit e pushtetit në Komunën e Malishevës treguan heroizëm duke mbrojtur popullatën dhe qëndrimin se ishte bërë një masakër në qendër të Malishevës. Ky qëndrim do të hidhëronte qarqet më të larta udhëheqëse në Jugosllavi dhe më pas do të sillte edhe shuarjen e administratës së Komunës së Malishevës. Dhe kjo për vetë faktin se nuk mundi të gjente bashkëpunëtor të cilët do të zbatonin pushtetin e tyre në Malishevën shqiptare. Qytetarët e komunës së Malishevës do të vazhdonin të organizoheshin në parti dhe organizata tjera deri në daljen publike të UCK-së, prej nga do të organizohej lufta e fuqishme dhe Malisheva do të shndërrohej në qendër të luftës dhe rezistencës. Lirinë do ta sillnin edhe 70 dëshmor nga Komuna e Malishevës, 360 martir , qindra te plagosur dhe mbi 2500 luftëtarë të lirisë. Kjo do të realizonte edhe ëndrrën e Hisniut dhe të Aliut, për lirinë e popullit të tyre. Sot Malisheva është krenare me të kaluarën e bijve dhe bijave të saj për luftën e tyre, heroizmin përkushtimin dhe gjakun e derdhur që sollën lirinë e kërkuar ndër shekuj. Malisheva dhe familjet e Aliut dhe Hisniut të jenë krenare me bijtë që patën. Lavdi dëshmorëve të kombit Ali Din Kryeziu dhe Hisni Avdullah Mazrreku. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Ndërsa në këtë Akademi, ka folur edhe ish Kryetari i Kuvendit Komunal të Malishevës, z.Daut Krasniqi, njeriu, i cili në mënyrë të hapur dhe institucionale, e kishte dënuar ngjarjen dhe kishte kërkuar përgjegjësi penale, për vrasjen e dy shqiptarëve në Malishevë. “Me 30 Janar 1990, u vranë Ali Din Kryeziu dhe Hisni Mazreku, ndërsa me armë zjarri u plagosën 11 qytetar dhe u maltretuan 4 shqiptar. Udhëheqja e komunës, këtë ngjarje e ka kundërshtuar në mënyrë të hapur, menjëherë kemi dhënë kumtesë zyrtare, duke dënuar krimin ndaj qytetarëve të Malishevës dhe për policët serb kemi kërkuar të përgjigjen si kriminel që kanë shkaktuar këto vrasje. Të gjithë udhëheqësit e Kosovës, i kemi njoftuar me gojë dhe me shkrim, duke kërkuar përgjegjësi, por ata kanë qëndruar indiferent. Kjo ngjarje ka ndikuar në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, që të ndërroj qasjen dhe shqyrtimin e çështjeve. Kontribut të madh në këtë çështje, përkundër censurës që ka ekzistuar, kanë dhënë edhe gazetarët që kanë raportuar nga Malisheva, të cilët tërë ngjarjen e kanë pasqyruar në gazeta, radio dhe në televizion. Si Kuvend Komunal, kemi bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Qarkut në Prizren, kundër policëve serb” ka thënë mes tjerash ish kryetari i KK, Daut Krasniqi. Pas këtyre fjalimeve, është ndarë edhe çmimi “Dr.Tafil Kelmendi”, çmim të cilin e ndan Shoqata për kulturë dhe letërsi “Tafil Kelmendi” në Malishevë, dhe ky çmim, postmortum, ju nda Abdyl Krasniqit, kurse paraprakisht, për jetën dhe veprën e A.Krasniqit, foli Izet Shala. Pas përfundimit të kësaj akademie, janë bërë homazhe, në vendin e rënies së dëshmorëve Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku. Data: 30.01.2010 |