Fjala e kryetarit

Fjalimi i Kryetarit me rastin e dhënies së betimit dhe inaugurimit të Kuvendit të  Komunës :

 

Të nderuar këshilltarë, të nderuar familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, përfaqësues të KFOR-it, të nderuar mysafir, të gjithë Ju që jeni prezent në mbledhjen solemne ku  po themelojmë Kuvendin e Ri me këshilltarët  dhe kryetarin e zgjedhur në zgjedhjet lokale, Nëntor - Dhjetor 2009. Mirëserdhët!

Ju lutem të pranishmeve që të më lejoni, që nga kjo foltore të shpreh falënderimet e mia të përzemërta të gjithë aktivistëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike për besimin e dhënë fuqishëm për kandidaturën time dhe të subjektit në zgjedhjet që na e përcaktuan pozitën tonë. Dua të falënderoj gjithashtu të gjithë qytetarët apo thënë ndryshe të gjithë simpatizantët e partive tjera që me mbështetën me votën e tyre, që na e dhanë besimin, dua të përshëndes dhe të falënderoj të gjitha subjektet tjera politike si LDK, AAK, LDD, për qëndrimin e tyre në zgjedhje, për një fushate dhe zgjedhje dinjitoze në Komunën tonë të dashur dhe martire Malishevën. Përshëndetje për partinë Aleanca Kosova e Re për Koalicionin me PDK-ne dhe kontributin e dhënë në fitoren tonë dhe në zgjedhje përgjithësisht.

Të nderuar pjesëmarrës, sot kam rastin gjithashtu të falënderoj të gjithë qytetarët që erdhën dhe më uruan për zgjedhjet dhe zgjedhjen time për kryetar. Të falënderoj përfaqësuesit e partive politike dhe qytetarët e shumtë që më uruan. Në mënyrë të veçantë te falënderoj Fetah Rudin nga rivalët politik , i cili nga të paret me uron për zgjedhje, dhe të gjithë ata që nga largësia më uruan dhe, të tillë ishin mijëra e mijëra qytetarë.

Të nderuar qytetarë të Komunës së Malishevës, në zgjedhjet e 13 Dhjetorit fitoi Demokracia në Malishevë, fituan qytetarët e Komunës së Malishevës. Besimi i dhënë, kaq fuqishëm nga Ju, vetvetiu krijon një obligim të jashtëzakonshëm për mua. Askush më shumë se unë nuk do ketë vullnet, dëshirë, ambicie, angazhim që të kemi sukses në qeverisjen katërvjeçare. Unë u siguroj se gjithë energjia ime pozitive,përvoja dhe profesionalizmi im do të shfrytëzohen maksimalisht që Malisheva jonë e dashur të arrij hapin me komunat e zhvilluara në Republikën e Kosovës. Tashmë kemi siguruar bazën e një zhvillimi të tillë. Malisheva po bëhet me rrugë gjithandej fshatrave të saja, me rrjete kanalizimi e ujësjellësi, me Pallat Sporti e Shtëpi Kulture, me Qendër Shkollore Profesionale të nivelit evropian, me fermer të suksesshëm, e me biznese të mëdha, me administratë profesionale, shërbime mjekësore 24 orë, me përkujdesje të veçantë për familje të dëshmorëve, invalidëve të luftës, veteranëve, të njerëzve me nevoja të veçanta. Në këto katër vite ne do ti kushtojmë një vëmendje të veçantë zhvillimit ekonomik, punësimit dhe atë përmes stimulimeve në prodhimtari, në bujqësi dhe turizëm. Investime të mëdha do të bëhen në mbrojtjen e ambientit, në sport dhe kulturë. Ngritja e kushteve në shkolla me kabinete dhe infrastrukturë tjetër, është një fushe e veçantë por e përhershme e jona në prioritete.

Edhe administrata do të freskohet dhe rikonfigurohet, gjatë kësaj kohe, në mënyre që të kemi disiplinë të shtuar përgjegjësi në punë dhe shërbime profesionale në të mirë të qytetarëve.

Unë do të siguroj komunikim të rregullt me përfaqësues të fshatrave dhe kryesitë e tyre. Një ditë në jave do ta rezervoj për takime me qytetarë, për të parë nevojat dhe kërkesat e tyre.

Çdo vit do të sigurojmë ndihmë në ndërtimin e pesë shtëpive për kategoritë e veçanta dhe ndihmë të përhershme për të gjithë të varfrit për t’ju siguruar ushqim dhe medikamente falas.

Të nderuar Këshilltarë të të gjitha partive Politike; tanimë unë përfaqësoj të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës dhe për të realizuar synimet tona për një Malishevë të zhvilluar kërkoj mbështetjen Tuaj gjatë katër viteve që i kemi përpara. Unë do kërkoja që për vendimet me interes të përgjithshëm të kemi edhe pajtim të përgjithshëm, të të gjitha grupeve parlamentare. Opozita të luaj një rol konstruktiv si opozitë e cila do të më ndihmoj mua që të kemi vendime  parimore, të drejta dhe objektive. Edhe opozita të gëzohet  dhe mbështes punët e mira dhe sukseset dhe të ngrit zërin për punët e këqija, për dështimet dhe vendimet e gabuara, unë do jem mbështetës i saj .

Po ashtu, kërkoj nga qytetaret, mbështetje në punën time dhe të Kuvendit, kërkoj mirëkuptim dhe arsyetim për mospërmbushje të të gjitha nevojave që kanë. Kjo me vetë faktin, se jo gjithçka dhe jo për një kohë të shkurtër, mund të realizohen të gjitha nevojat e qytetarëve. Komuna e Malishevës është një komunë e re dhe e pazhvilluar, me një buxhet të kufizuar. Por jam i sigurt se me punën tonë, me angazhim të përgjithshëm, me mbështetjen e Qeverisë Thaçi,  do  të arrijmë synimet tona, projektet të cilat do ta sjellin Malishevës në nivel të lartë zhvillimi.

Unë besoj!

Ju faleminderit!

 Kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj-ecc.i dipl.

 

 


    Pamje e lapidarit nga Malisheva